Në Komunën e Prishtinës rreth 100 biznese do të përfitojnë falë Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis Komunës së Prishtinës dhe organizatës “Help”.
Kryetarit të Komunës së Prishtinës Z.Shpend Ahmeti dhe dhe Znj. Shqipe Breznica, Koordinatore e Programit, pranë organizatës Help-Hilfe zur Selbsthilfe e.V. në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e projektit të “Përkrahje për stabilitetin socio-ekonomik nëpërmjet fuqizimit të sektorit të mikro-biznesit në Kosovë”.
I pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishte edhe Zëvendës Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler.
Përfituesve të këtij projekti do t’u dhurohen pajisje me vlerë mesatare 2.000 euro, kombinuar me trajnime profesionale e mbikëqyrje për zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.
“Sot e zyrtarizojmë një pjesë të një marrëveshje që organizata “Help” do ta bëjë me disa Komuna në Republikën e Kosovës. Kemi kënaqësinë që jemi një prej këtyre komunave për përkrahjen e bizneseve të vogla me grante. Falënderoj edhe Zëvendës Ambasadorin, z. Matthias Kiesler për përkrahjen që shteti gjerman është duke e dhënë për Kosovën dhe në përgjithësi për ndihmën shumëvjeçare në projekte të ndryshme. Komuna e Prishtinës është njëra prej përfitueseve më të mëdha të projekteve të shtetit gjerman dhe ato projekte tashmë po tregojnë edhe suksese dhe lehtësim të jetës së qytetarëve’, tha në këtë konferencë Ahmeti.
Zëvendës Ambasadori Z. Matthias Kiesler tha se është i kënaqur që Komuna e Prishtinës është përfituese e këtij projekti dhe foli për arsyen e këtij projekti.
“Siç e dini gjatë muajve të kaluar ka pasur një ngritje shumë të madhe të numrit të personave të cilët janë larguar nga Kosovë në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo ndërlidhet edhe me numrin e rritur të azilkërkuesve në Gjermani. Në janar të këtij viti kanë qenë 3.000 kosovarë që kanë kërkuar azil në Gjermani, në muajin shkurt 7.000 dhe në mars ky numër ka arritur në 11.000 persona”, tha Zv. Ambasadori gjerman.
Por pyetja është se pse këta njerëz janë larguar nga Kosova vijoi në fjalën e tij zëvendës Ambasadori. Ai po ashtu tha se një arsye sigurisht se është gjendja e keqe ekonomike e tyre apo perceptimi i tyre i gjendjes ekonomike.
Veprimet që do të ndërmerren në veçanti sipas kësaj marrëveshje lidhen me krijimin e vendeve të reja të punës përmes përkrahjes me grante të mikrobizneseve”, tha Zv. Ambasadori gjerman, Matthias Kiesler.
Ndërsa, Znj. Shqipe Breznica shpjegoi se organizata “Help” është organizatë gjermane me seli në Bon dhe se nga maji i vitit 2015 kanë filluar fushëveprimtarinë edhe në Kosovë.
“Projekti ka për fokus përkrahjen e biznese të vogla në Kosovë. Në vitin 2015 do të përqendrohemi në 6 komuna, ndërsa në vitin 2016 do t’i shtojmë edhe 3 komuna të tjera. Qëllimi është që t’u ndahen grante prej 2.000 eurove bizneseve të vogla ku edhe Komunat do të përkrahin me bashkëfinancim dhe po ashtu përfituesit potencial do të duhet të participojnë me 15% të vlerës së grantit. Në Komunën e Prishtinës janë paraparë 80 grante për vitin 2015 dhe 20 grante për vitin 2016. Kontributi i Komunës së Prishtinës është 40 mijë euro si bashkëfinancim” tha Znj.Breznica.
Shuma e përgjithshme e projektit për vitet 2015 dhe 2016 do të jetë 1.360.940,00 euro, ndërsa donator kryesor i këtij projekti është Qeveria Gjermane në vlerë prej 500.000,00 euro në vitin 2015 (Faza I – rë) dhe shuma e planifikuar prej 500.000,00 euro në vitin 2016 (Faza II – të).
Bashkëfinancues janë edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një shumë në vlerë prej 100.000,00 Euro, si dhe Komunat e përfshira në Projekt në vlerë prej 126.000,00 Euro
Projekti do të zbatohet në komunat vijuese: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut,Vushtrri, Prizren dhe Gjilan.