Gjermania Investon në Kosovë për të ulur numrin e Azilkërkuesve

Rreth 27 mijë shtetas të Kosovës kanë kërkuar azil gjatë këtij viti në Gjermani. Këtë e bëri të ditur sot zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Matthias Kiesler. Ky i fundit ngriti shqetësimin e azilkërkuesve gjatë një konference për shtyp të mbajtur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe me koordinatoren e programit pranë organizatës “Help-Hilfe”, Shqipe Breznica.

Ai tha se shifrat më shqetësuese ishin gjatë muajit mars, ku kishin kërkuar azil më shumë se 11 mijë kosovarë, në shkurt 7 mijë dhe në janar 3 mijë.

Ndërsa shifrat kanë filluar të zvogëlohen në muajin prill, kur kishin kërkuar azil 4 mijë persona ndërsa në muajin maj 1,700.

“Në pesë muajt e parë të këtij viti Kosova ka qenë vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve, afër 27 mijë kosovarë, ndoshta ka pasur edhe më shumë nga ata që s’kanë hyrë në sistem por përafërsisht kaq”, tha Kiesler.

Nga ky numër, vetëm 5 mijë kosovarë janë kthyer deri më tani. Vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani është Siria.

Zëvendës ambasadori tha se kjo është edhe arsyeja se pse ata dëshirojnë që t’u ndihmojnë bizneseve të vogla në Kosovë, në mundësi për të ulur numrin e papunësisë dhe të atyre që kërkojnë azil.

“Përkrahja për stabilitetin socio-ekonomik nëpërmjet fuqizimit të sektorit të mikro-biznesit në Kosovë” quhet edhe projekti, që sot u nënshkrua në mes Shqipe Breznica nga organizata Help-Hilfe zur Selbsthilfe, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku ishte i pranishëm edhe zëvendës ambasadori gjerman.

Aktiviteti kryesor do të jetë krijimi i vendeve të punës përmes mbështetjes direkt për bizneset e vogla në forum të granteve në pajisje, si dhe organizimin e trajnimeve profesionale dhe biznesore.

“Në bazë të përvojave të mëhershme, prodhimi i vogël, shërbime dhe artizanale, kjo është edhe nga përvoja që e kemi nga atje, por nuk do të thotë që ne në Kosovë nuk do të vijmë me ndonjë ide të re në rajon, nuk jemi shumë të limituar por çfarëdo biznesi që do të jetë, që e ka shpjeguar mirë planin do të jenë prioritet”, tha Breznicka.

Ndërsa Shpend Ahmeti tha se ai beson se një projekt i tillë do të ndihmojë sa më shumë qytetarët dhe bizneset e vogla të komunës së Prishtinës si dhe të qyteteve të tjera.

“Kemi kënaqësinë që jemi ne njëra nga këto komuna, për përkrahjen e bizneseve të vogla me grante dhe sot do ta zyrtarizojmë këtë marrëveshje”, tha Ahmeti.

Shuma e përgjithshme e projektit për vitet 2015 dhe 2016 do të jetë 1,360,940 euro, ndërsa donator kryesor i këtij projekti është qeveria gjermane në vlerë prej 500 mijë euro në fazën e parë dhe 500 mijë euro në vitin 2016.

Bashkëfinancues të këtij projekti janë edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një shumë prej 100 mijë euro, si dhe Komuna e Prishtinës, përfshirë në Projekt në vlerë prej 126 mijë euro.

Projekti do të zbatohet në komunat vijuese: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Vushtrri, Prizren dhe Gjilan.

Jeta ne Kosove

Related Posts

Leave A Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.