Në ambientet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), sot u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të MPMS-së dhe organizatës gjermane Help – Hilfe zur Selbsthilfe e.V.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe Timo Stegelmann, kryesuesi i Divizionit të Evropës Juglindore i organizatës Help-Hilfe zur Selbsthilfe e.V., nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zbatimin e projektit “Përkrahje për stabilitetin socio-ekonomik nëpërmjet fuqizimit të sektorit të mikro-biznesit në Kosovë”.
Vlera e përgjithshme e projektit për fazën I dhe II është 1 milion e 360 mijë e 940 euro.
Projekti do të zbatohet në komunat vijuese: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, , Vushtrri, Prizren dhe Gjilan.
430 mikro-biznese do të ndihmohen me pajisjet e nevojshme për drejtimin e veprimtarive të tyre. Vlera mesatare e një granti do të jetë 2 mijë euro. Së paku 430 biznese dhe 160 trajnime profesionale do të organizohen për bizneset e përkrahura.
Projekti do të zbatohet gjatë periudhës maj 2015 deri në dhjetor 2016. Ky projekt është në përputhje me strategjitë nacionale dhe lokale të Kosovës dhe do ta përkrahë procesin e zhvillimit të qëndrueshëm si të tërë.