Rreth 100 biznese të komunës së Prishtinës do të përfitojnë falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis komunës së Prishtinës dhe organizatës “Help”.
“Veprimet që do të ndërmerren në veçanti sipas kësaj marrëveshje lidhen me krijimin e vendeve të reja të punës përmes përkrahjes me grante të mikrobizneseve. Të gjithë të interesuarit kanë mundësi të marrin pjesë në takimet informuese me qytetarë lidhur me mundësinë e përfitimit të granteve nga ky projekt.” bën të ditur zyra për informim e komunës së Prishtinës.
Sipas kësaj marrëveshje me organizatën gjermane “Help”, deri në fund të këtij viti planifikohen të ndahen 100 grante për bizneset e reja, në vlerë prej rreth 2000 euro për një biznes.
Prej granteve me një vlerë të përgjithshme prej 200 mijë euro, Komuna e Prishtinës ka kontribuar me 20 % të vlerës totale.